Osteoporoza karakterizohet nga dëmtimi i stukturave kockore, ku kjo e fundit humbet proteinat, mineralet dhe kalciumin. Strukturat kockore të cilat preken më së shumti janë vertebrat (kryesisht vertebrat lumbare dhe torakale), qafa e femurit (15-20% të rasteve me fraktura të pjesës proksimale të femurit kanë rezultuar fatale) dhe pjesa distale e radiusit dhe ulnës. Osteoporoza konsiston në një grup heterogjen simptomash në të cilat kemi reduktim të masës kockore në njësi volumi në krahasim me kockën e shëndoshë. Shtimi i porozitetit të kockës çon në mungesën e qëndrueshmërisë arkitekturore të kockës dhe rrit mundësinë e shfaqjes së frakturave. Përqindja e mineraleve në osteoporozë është normale, por në osteomalaci përqindja e mineraleve është shumë e reduktuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përkufizuar osteoporozën si devijim i densitetit mineral kockor 2.5 pikë nën vlerën e masës kockore mesatare tek të rriturit e rinj.
Fillimisht osteoporoza prek vertebrat dhe më pas qafën femorale, kjo pasi vertebra përbëhet nga 50% kockë trabekulare dhe 50% nga kockë kortikale, kurse qafa e femurit përmban 30% kockë trabekulare dhe 70% kockë kortikale. Prandaj osteoporoza fillimisht prek vertebrat dhe më pas qafën e femurit.
Rehabilitimi Fizioterapeutik
Efekti i ushtrimeve për përmirësimin e masës kockore mbështetet nga faktorët hormonal dhe ushqyes. Në bazë të teorisë së Frost, për të nxitur rritjen e densitetit kockor mineral është i nevojshëm një stres mekanik minimal. Lanyon sugjeroi se nga stresi mekanik fitohet një efekt osteogjenik më i madh kur tendosja është mjaftueshëm e fortë. Përsa i takon korigjimit të posturës duhet që të aplikohet orteza dy herë në ditë, çdo 30 minuta.
Qëllimet e rehabilitimit të osteoporozës janë:
- Të rrisim masën kockore
- Të reduktojmë humbjen e densitetit kockor
- Të përmirësojmë forcën, qëndrimin, ekuilibrin dhe anën psikologjike të pacientit.
Për të plotësuar qëllimet fizioterapeutike në trajtim përfshihen teknikat e mëposhtme:
- Krioterapi ose termoterapi
- Përdorimi i ortezave dhe mjeteve ndihmëse
- Teknikat miofasciale
- Edukim postural
- Lëvizje aktivo-pasive
- Ushtrime aktive
- Ushtrime izometrike
- Ushtrime izotonike
- Ushtrime për rritjen e fuqisë muskulore
- Këshilla ergoterapeutike
- Ushtrime me rezistencë
- Ushtrime me pesha të moderuara
Proçedurat e mësipërme i aplikojmë në dy faza: atë akute dhe në fazën kronike. Trajtimi i dhimbjeve akute në një pacient me osteoporozë përfshin:
- Regjim shtrati, vetëm për 2 ditë, pasi në kaq kohë nuk kemi një humbje të masës kockore
- Të shmangen medikamentet që shkaktojnë konstipacion
- Shmangim konstipacionin
- Mund të aplikojmë krioterapi apo termoterapi
- Shmangim ushtrimet që e lodhin pacientin
- Mësojmë pacientin sesi të ngrihet nga shtrati dhe si të qëndrojë për të shmangur tendosjen e tepërt të muskujve
- Përdorim orteza
- Përdorim mjete ndihmëse
Menaxhimi i dhimbjeve kronike tek pacientët me osteoporozë:
- Përmirësimi i posturës
- Aplikimi i teknikave miofasciale
- Aplikimi i ortezave
- Shmang aktivitetin fizik të rënduar
- Përdorimi i terapisë medikamentoze
- Përzgjedhja e një protokolli ushtrimor
Terapia ushtrimore duhet të kryhet çdo ditë, ku kjo mund të kryhet dhe nga vetë pacienti pas instruktazhit tonë.
Ecja është një tjetër pikë ku ne duhet të fokusohemi. Fillimisht edukojmë pacientin të përshkruajë distanca të shkurtra, në kohë të shkurtër, derisa të arrijnë 90 min ecje pa lodhje në një distancë prej 4 km.